Parashikimi i ndërtuesve dhe imobiliarëve: A do rriten çmimet e apartamenteve në 2019-n?!

Ndërtuesit dhe agjencitë e pasurive të paluajtshme kanë pritshmëri të ndryshme lidhur me ecurinë e çmimeve të apartamenteve gjatë këtij viti. Hajredin Fratari, ndërtues, tha se çmimet do të jenë në rritje. Ai tha se arsyeja kryesore për rritjen e sektorit të ndërtimit rezidencial është kërkesa dhe planet urbanistike të Bashkisë. Fratari pohon se kërkesa për banesa me kosto të lirë dhe mesatare në periferi do të jetë në rritje të qëndrueshme edhe për këtë vit, duke shtuar se ka një trend rritës për banesa që kalojnë edhe të 900 eurot. Sipas tij, çmimet pritet të rriten më tej për 2019 me rreth 100 euro për metër katror. Fratari tha se të gjitha objektet që do të ndërtohen më 2019 do të paguajnë taksë infrastrukture 8% në bazë të vlerës së shitjes së tyre.


Arben Dervishi, nga Shoqata e Ndërtuesve, parashikon se çmimet do të jenë në varësi të ndërtimit, çka nënkupton vendin dhe cilësinë e objektit. Ai tha se në qendër dhe brenda zonës së Unazës së Madhe, çmimet do të jenë në rritje, ndërsa në periferi pritet të ketë ulje.
Ndryshe nga ndërtuesit, këtë vit agjencitë e pasurive të paluajtshme parashikojnë stabilitet. Në 2019-n do të aplikohet edhe taksa mbi pronën, e cila ndryshon në objektet për banim dhe ato për biznes. Sipas aktorëve të tregut, kjo taksë e re nuk do të transferohet në çmim, por të mbahet nga pronarët.


Vitin e kaluar, çmimet e apartamenteve u rritën në muajt e parë të vitit me rreth 10% në zonën brenda unazës, duke reflektuar kërkesën e shtuar, teksa u rrit dukshëm blerja e apartamenteve në cash. Në gjysmën e dytë tregu u stabilizua, pas shtimit të ofertës si rrjedhojë e rigjallërimit të ndërtimeve, duke shënuar rënie të lehtë në zonën e qendrës. Por, në periferi apartamentet u shtrenjtuan me 50-100 euro për metër katror, duke arritur në 450-600 euro për metër katror si rrjedhojë e rritjes së kostos së ndërtimeve.
Në zonën përreth unazës, çmimet luhaten nga 800-900 euro, deri në rreth 3000 euro, afër TVSH-së, që është dhe zona më e shtrenjtë në kryeqytet.